e enjte, maj 31, 2007

Në Këshillin e Sigurimi të OKB-së fillon diskutimi i rezolutës për Kosovën

New York, 31 maj. - Sot do të diskutohet për rezolutën e re mbi Kosovën në KS të Kombeve të Bashkuara në New York. Këtë edhe e tha dje ambasadori i SHBA-ve në organizatën botërore, Zlmay Khalilzad. "Sponsorët duan që nesër të kemi një diskutim mbi rezolutën për Kosovën.

Flas në emër të Shteteve të Bashkuara dhe ne duam që rezoluta për Kosovën të diskutohet nesër", ka thënë dje Khalilzad.
Ambasadori amerikan tha se ka një plan të mirë duke nënvizuar se plani Ahtisaarit përbënë një kornizë të mirë për të ecur përpara, që ishte edhe si një paralajmërim i përfundimit të fazës konsultative lidhur me tekstin përfundimtar të rezolutës.Khalilzad dhe njëherë ritheksoi se situata e tanishme nuk është e qëndrueshme dhe evropianët duan të marrin përgjegjësinë mbi Kosovën nga Kombet e Bashkuara."Sepse Kosova është e rëndësishme për të ardhmen e Evropës, sepse ajo potencialisht mund të rrezikojë stabilitetin dhe sigurinë e Evropës", tha ambasadori amerikan.SHBA-ja së bashku me Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Belgjikën dhe anëtarët e tjerë perëndimorë në KS, e kanë qarkulluar që nga mesi i majit një projekt-rezolutë. Gjatë kësaj kohë kanë vazhduar diskutimet dhe synimi amerikan ka qenë që rezoluta të jetë sa më e qartë dhe që thelbi i parimeve të saj të jetë i tillë që të mundësojë ecjen e procesit përpara duke ofruar atë përfundim që parasheh edhe plani i Ahtisaarit, e ajo është pavarësia e Kosovës. /s.gashi/

Nuk ka komente: