e mërkurë, maj 23, 2007

Gazeta "Zëri": Kryeministri Çeku mund te formoje nje parti të re

Nëse Çeku vendos të formojë parti të re, ai këtë do të duhej ta bënte shumë shpejt pas miratimit të vendimit për Kosovë të pavarur dhe sovrane
Prishtinë- Kryeministri kosovar Agim Çeku do të mund të formoje nje parti të re, shkruan sot e përditshmja "Zëri" e Prishtinës. Çeku për kryetar të Qeverisë së Kosovës u zgjodh si kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kryetar i së cilës është Ramush Haradinaj. Ai u bë kryeministër i Kosovës në bazë të marrëveshjes së koalicionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe AAK-së.

Gazeta shkruan se kryeministri është anëtar i kryesisë së AAK-së, por shumë rrallë shihet në selinë e partisë. "Nëse Çeku vendos të formojë parti të re, ai këtë do të duhej ta bënte shumë shpejtë pas miratimit të vendimit për Kosovë të pavarur dhe sovrane, nëse dëshiron të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare, të cilat, nëse në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratohet rezolutë e re për Kosovën, do të mbaheshin nga fundi i vitit", konstaton "Zëri". Partia e re doemos do të duhej të shënohet në regjistrin e partive të OSBE-së, përderisa kandidatët për këshilltarë komunalë, gjegjësisht deputetë në Kuvendin e Kosovës, doemos do të duhej të kalojnë nëpër një procedurë të caktuar.

Kjo, sipas gazetës, do të thoshte se Çeku do të duhej publikisht të prononcohet se është kryeministër nuk përfaqëson partinë që e propozoi për kryeministër, gjegjësisht se nuk është kandidat i koalicionit në pushtet LDK-AAK. "Zëri" bën të ditur se kjo do ta parashtronte çështjen për kryeministrin e ri për votimin e të cilit koalicioni në pushtet vështirë se do të siguronte 61 vota, sa nevojiten, ndërsa Kosova disa javë pas rezolutës së KS në KB do të mund të hynte në krizë qeveritare. "Njëherit, do të ishte befasi e madhe nëse koalicioni në pushtet LDK-AAK do të lejonte që në krye të Qeverisë të mbetet përfaqësues i një partie të re", konstaton Zëri.

Nuk ka komente: