e mërkurë, dhjetor 05, 2007

Jozefina Topalli e kënaqur me mbështetjen që po i japë Turqia pavarësisë së Kosovës

Jozefina Topalli e kënaqur me mbështetjen që po i japë Turqia pavarësisë së Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli po qëndron për vizitë zyrtare në Turqi, me ftesë të Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Turqisë, Köksal Toptan. Zonja Topalli, e cila është takuar me kryetarin e parlamentit turk, kryeministrin dhe presidentin, shprehu mbështetjen e plotë për pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
"Çështja e ditës, në fakt, është Kosova dhe ne i jemi shumë mirënjohës Turqisë që mbështet paqen dhe stabilitetin në rajon dhe baza që siguron këtë paqe është "Plani Ahtisaari" dhe pavarësia e Kosovës. Unë, në fakt, i kërkova Kryetarit të Asamblesë Kombëtare edhe ushtrimin e të gjithë influencës së njohjes të tyre personale, të fuqisë së tyre diplomatike, të influencës që kanë në zonë, si vend lider që është Turqia për të marrë të njëjtën mbështetje edhe nga vendet e tjera. Jam shumë e kënaqur që Kryetari tha se ne do të bëjmë çdo gjë për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajon", ka thënë Zonja Topalli.

"Turqia është e gatshme të bëjë të gjitha përpjekjet e pafundme për vendosjen e stabilitetit dhe paqes finale në rajonin ballkanik. Urojmë dhe shpresojmë që brenda një kohe shumë të shkurtër do të zgjidhet çështja e Kosovës në formën që e gëzon të gjithë popullin e Kosovës, sigurisht, duke e kaluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së", ka thënë Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Turqisë, Köksal Toptan. /d. ndrenika/

Nuk ka komente: