e martë, maj 29, 2007

Policia arreston në Prishtinë 4 persona për posedim ilegal të substancave narkotike dhe municionit

Përmes një komunikate për media policia ka njoftuar sot për arrestimin e 4 personave, të moshës 21 dhe 23 vjeç, për shkak të posedimit të substancave narkotike – marihuanë. Gjatë bastisje së shtëpisë së njërit nga të dyshuarit policia ka gjetur edhe një sasi municioni, kalibrash të ndryshëm. Të arrestuarit, me autorizimin e prokurorit janë dërguar në Qendrën Rajonale të Paraburgimit Prishtinë për hetime të mëtutjeshme.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, kur njësitë policore ndaluan veturën “Renault ngjyrë e bardhë“ pa targa, në të cilën gjendeshin katër persona, të cilët pasi që kishin vërejtur reagimin e policisë kishin filluar t’i hedhin përreth disa qese plastike me një përmbajtje ngjyrë të gjelbër, e dyshuar të jetë substancë narkotike.

Gjatë kontrollit të mëtejmë policia ka gjetur rreth 15 qese plastike me substancë, që dyshohet të jetë marihuanë.

Veprimet kanë vazhduar edhe me bastisjen e shtëpisë së njërit nga të dyshuarit me ç’ rast policia ka gjetur dhe ka konfiskuar dy karikatorë me 50 fishek të kalibrit EC-43 , 43 fishekë të armës automatike AK 47, 8 fishekë të pushkës automatike M 48, 9 fishek të pushkës së gjuetisë, 3 gëzhoja të fishekëve, një sprej , një dëgjuese, një bateri dhe një mbajtëse të radiolidhjes, si dhe disa gjëra të tjera, të cilat janë konfiskuar nga policia.

Të dyshuarit, dy nga 21 vjeç dhe dy nga 23 vjeç, pas arrestimit dhe pas marrjes së autorizimit nga ana e Prokurorit janë dërguar në Qendrën Rajonale të Paraburgimit Prishtinë për hetime të mëtutjeshme, njofton Zyra për marrëdhënie me publikun, pranë Komanda Regjionale e SHPK-së, në Prishtinë.

Nuk ka komente: